Monitorime
GreenAL synon të intensifikojë më tej praktikat alternative të monitorimit të ndotjes, të mbështetura përgjatë fazës së parë të tij, për të adresuar nevojën në rritje për informacion cilësor dhe të saktë mbi gjelbërimin urban, ndotjen në ajër, ujë, tokë dhe ndotjen nga zhurmat.
Nëpërmjet fazës së dytë, GreenAL do të vazhdojë monitorimin alternativ të ndotjes në mjedis nga organizatat e shoqërisë civile dhe zbatimin e konceptit të “shkencës së aplikuar qytetare”. Kjo do kryhet për adresimin, në mënyrë indikative dhe sasiore, të ndotjes së ajrit, nivelit të zhurmës në zonat urbane, reduktimit të gjelbërimit urban dhe cilësisë së ujërave sipërfaqësore dhe tokave.
Të dhënat e mbledhura do të shfaqen në platformën ekzistuese Mushkëri të Gjelbra, si një burim alternativ dhe gjithëpërfshirës për monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit, ndotjes akustike dhe vlerësimin e shërbimit të ofruar nga ekosistemi i gjelbërimit urban. Këto të dhëna të mbledhura duhet të konsiderohen plotësuese në kontekstin e gjurmimit dhe interpretimit të faktorëve ndotës në zonat urbane.
Duke shfrytëzuar përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile dhe “shkencës së aplikuar qytetare” të dhënat e mbledhura do të përdoren për të: rritur ndërgjegjësimin e publikut, rritur transparencën, ndikuar në proceset vendimmarrëse, ndikuar në politikat mjedisore dhe kontribuar në uljen e niveleve të ndotjes në qytetet tona.
Shënim: Ky lloj monitorimi nuk përfshin në asnjë rast përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe metodologjive shkencore, pjesë e ligjeve mbi monitorimin e mjedisit. Çdo nevojë për interpretim ligjor të nivelit të ndotjes do të kërkojë angazhimin e laboratorëve të certifikuar me pajisje dhe personel të akredituar konform rregullave dhe procedurave në fuqi nga Drejtoria Përgjithshme e Akreditimit në Shqipëri.