Më datë 1 Korrik, landfilli i qytetit të Elbasanit u përfshi nga një zjarr i përmasave të mëdha, i cili shkaktoi çlirimin e ndotësve të rrezikshëm në atmosferë. Një grup ekspertësh nga Co-PLAN dhe Milieukontakt monitoruan situatën në terren dhe vlerësuan ndikimet e zjarrit në cilësinë e ajrit.
Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth. Përqendrimet e ndotësve të ajrit të regjistruara ishin si më poshtë:
Dioksidi i karbonit (CO₂) me rreth 521 – 794 ppm
Ky nivel është mbi normën prej rreth 350 ppm dhe tregon djegie të pakontrolluara të materialeve organike, që ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut dhe mjedisin përreth.
Metani (CH₄) varion 5 – 8 ppm
Përqendrimi i metanit, që normalisht në ajër është rreth 1.8 ppm, sinjalizon dekompozim anaerobik aktiv të mbetjeve dhe përbën rrezik potencial për shpërthime në kushte zjarri.
Dioksidi i azotit (NO₂) deri në 331 µg/m³
Përqendrimi i NO₂ tejkalon ndjeshëm kufirin e lejuar nga Bashkimi Europian, të cilët rekomandojnë që ekspozimi afatshkurtër (1 orë) të mos kalojë 200 µg/m³. Vlera e matur prej 331 µg/m³ tregon një rrezik serioz për sistemin respirator të banorëve përreth landfillit.
VOCs deri në 6,800 µg/m³
VOC tejkalojnë ndjeshëm kufijtë e rekomanduar nga standardet e BE-së dhe janë shumë të rrezikshëm për shëndetin, me efekte toksike dhe potencial kancerogjen. Ato gjithashtu ndikojnë në formimin e ozonit në nivelin e tokës, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit.
PM 2.5 dhe PM 10
Në Shqipëri, venddepozitimet (landfillet), sanitare apo jo, vazhdojnë të jenë forma kryesore dhe funksionale për trajtimin përfundimtar të mbetjeve. Megjithatë, gjatë viteve të fundit është vërejtur një rritje shqetësuese e numrit të zjarreve në këto vende, të cilat shkaktojnë emetime të dëmshme dhe ndikojnë negativisht në mjedisin dhe shëndetin publik.
Megjithëse këto grimca janë nën kufijtë e lejuar për 24 orë, pranë një zjarri landfilli, edhe këto nivele mund të përbëjnë rrezik për shëndetin, sidomos për personat me probleme respiratore dhe grupet e ndjeshme.
Gjatë një interviste për Report TV, menaxheri i projektit të GreenAL, Imeldi Sokoli, u shpreh se: “Në qytetin e Elbasanit kemi dy stacione matëse. Gjatë zjarrit, parametrat kanë kaluar nga ndotje e moderuar apo lëvizje e pashëndetshme për personat e ndjeshëm ndaj problemeve respiratore. Është e këshillueshme që të kemi sa më pak ekspozim në zonë’,- tha Sokoli.
Menaxheri i projektit shtoi më tej se: “Këtu duhet përmendur edhe diçka tjetër, që landfilli në përgjithësi në shkallën e piramidës së menaxhimit të mbetjeve, është vendi i fundit, ku ne i çojmë mbetjet që asgjësohen. Nuk është e këshillueshme të jetë afër trupave ujore, sepse mbetjet e këtij depozitimi mund të depërtojnë në shtresat ujëmbajtëse dhe shtresa nëntokësore”,- tha Sokoli.
Rasti i landfillit të Elbasanit nuk është një rast i izoluar. Landfilli i Vlorës gjithashtu vazhdon të përballet me zjarre të përsëritura ndër vite, duke u kthyer në një problem të vazhdueshëm mjedisor dhe shëndetësor, çka tregon nevojën e menjëhershme për përmirësimin e situatës dhe ndërhyrjen me masa efektive për menaxhimin dhe kontrollin e tyre.