Takime me aktorët lokal – Sfidat Mjedisore në Gjirokastër dhe Vlorë

Nga Edisona Xhani

Rajonet e Gjirokastrës dhe Vlorës po përballen me një sërë sfidash mjedisore që janë sa të larmishme dhe komplekse. Përgjatë takimeve të zhvilluar me aktorët lokal, u shfaqën disa sfida urgjente, duke përfshirë menaxhimin e mbetjeve urbane, ndotjen e tokës, ajrit dhe ujit dhe dëmtimi i pyjeve.

Menaxhimi i mbetjeve urbane: Një shqetësim i ngutshëm

Menaxhimi i mbetjeve urbane është një nga sfidat kryesore mjedisore. Specifikisht, mungesa e infrastrukturës së duhur për ndarjen, grumbullimin dhe riciklimin e mbetjeve në këto rajone është mëse evidente. Ky problem përkeqësohet në zonat malore dhe njësitë administrative të largëta, ku ka një mungesë të mjeteve të pastrimit. Gjithashtu, praktika e përhapur e djegies së mbetjeve urbane, së bashku me kullotat dhe mbetjet bujqësore kontribuon ndjeshëm në ndotjen e ajrit në këto zona.

Ndotja e tokës dhe e ujit: një kërcënim në rritje

Në përpjekje për të rritur prodhimet bujqësore, banorët përdorin në mënyrë të shpeshtë plehra kimike. Mungesa e ekspertizës në menaxhimin e këtyre kimikateve, sjellë ndotjen e lumenjve dhe tokës bujqësore. Specialistët e fushës evidentojnë se praktikat jo të duhura të menaxhimit të tokës po shkaktojnë erozion dhe humbje të shtresave të humusit. Gjithashtu, ndërtimet në toka pjellore bujqësore kanë ulur sipërfaqen e tokës së punueshme.

Ndotja e lumenjve dhe deteve: Ndikimi në biodiversitet

Pavarësisht se Vjosa është shpallur park kombëtar, ky lum dhe degët e tij (Drino she Shushica) janë ndotur për shkak të depozitimit të mbetjeve nga bizneset vendase. Kjo ndotje po dëmton biodiversitetin e rajonit, duke përfshirë jetën e kafshëve dhe bimëve. Edhe qyteti bregdetar i Sarandës po përballet me ndotjen e detit nga ujërat e ndotura urbane dhe mbetjet e anijeve, duke rrezikuar ekosistemet detare.

Degradimi i pyjeve: Erozioni dhe ndotja e ajrit

Pyjet e rajonit janë nën kërcënim të konsiderueshëm nga prerjet e pyjeve për dru zjarri dhe përpjekjeve të pamjaftueshme për ripyllëzim. Pylli i Zi në Gjirokastër, për shembull, është djegur nga shiu acid, ndërsa Mali i Gjerë po dëmtohet për shkak të abuzimit të marrjes së rrëshirës së pishës dhe prerjes së ahut. Ndotja e ajrit është një tjetër problem i madh, veçanërisht në Tepelenë dhe Sarandë, ku emetohen gazra të dëmshëm për shkak të karierave të fosforit dhe aktiviteteve të biznesit.

Për të adresuar këto sfida mjedisore, aktorët lokal propozuan rekomandimet e mëposhtme:

  1. Përmirësimi i Infrastrukturës së Mbetjeve: Ndërtimi i vendgrumbullimeve të mbeturinave dhe sigurimi i pajisjeve për trajtimin e tyre janë të domosdoshme. Nxitja e praktikave të riciklimit sipas standardeve evropiane është një hap i rëndësishëm.
  2. Monitorimi dhe Zbatimi i Ligjeve Mjedisore: Autoritetet duhet të pajisen për të monitoruar dhe zbatuar ligjet mjedisore në mënyrë efektive dhe për të vendosur gjoba të forta ndaj ndotësve.
  3. Rritja e Ndërgjegjësimit dhe Edukimit Qytetar: Fushatat e ndërgjegjësimit dhe edukimit për praktikat e qëndrueshme mjedisore janë thelbësore. Integrimi i edukimit mjedisor në kurrikulën shkollore nga niveli parashkollor.
  4. Promovimi i Bashkëpunimit Institucional: Koordinimi dhe bashkëpunimi efektiv ndërmjet autoriteteve vendore dhe qendrore është jetike për adresimin e këtyre sfidave mjedisore.
  5. Investime në Infrastrukturën Mjedisore: T’i jepet përparësi investimit në sistemet e kanalizimeve, stacionet e trajtimit të ujërave dhe përdorimi i teknologjive të pastra për prodhimin e energjisë së pastër për të zbutur degradimin e mjedisit.

Për të përmirësuar situatën mjedisore në rajonin e Gjirokastrës dhe Vlorës, është e nevojshme të rriten kapacitetet financiare dhe teknike të institucioneve, të ndërgjegjësohen qytetarët dhe të bashkëpunojnë të gjitha palët e interesuara.

Scroll to Top