Projekti GreenAL ka shpallur zyrtarisht fituesit e thirrjes së dytë për propozime për grante që fuqizojnë organizatat mjedisore. 6 Grante Rajonale dhe 20 Grante Iniciative janë shpërndarë për organizatat e shoqërisë civile (OSHC) në të gjithë Shqipërinë, për projekte që do të forcojnë ndjeshëm kapacitetet lokale për të përballuar disa nga sfidat më urgjente mjedisore të kohës. Këto grante ndjekin një qasje strategjike operacionale, me synimin për të forcuar bashkëpunimin midis njësive të qeverisjes vendore, organizatave mjedisore dhe shoqërisë civile.


Gjatë fjalës hapëse në ceremoninë e organizuar me rastin e dhënies së granteve, Drejtoresha Ekzekutive e Co-PLAN, znj. Anila Bejko, theksoi se: “Ajo që i bashkon të gjitha këto projekte është jo vetëm qasja ndryshe si dhe pasioni për çështjet e mjedisit dhe drejtësisë sociale, por edhe përkushtimi për të ndërtuar zgjidhje nga poshtë-lart, me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve, shkollave, të rinjve, grave, fermerëve, dhe gjithë atyre që shpesh nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes.”
Më tej, znj. Bejko shtoi në fjalën e saj se: “Ju ftoj që këtë pikënisje të një mbështetjeje financiare që nis sot, ta shihni si diçka shumë më të madhe. Si një ekosistem të angazhimit qytetar për mjedisin, ku shoqëria civile, institucionet publike, shkollat, media dhe qytetarët, nuk janë më spektatorë, por aktorë të drejtpërdrejtë të transformimit.”
Grantet rajonale janë në përputhje me Agjendën e Gjelbër, të dizajnuara për të nxitur koordinimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm dhe për të plotësuar iniciativat e tjera të mbështetura nga GreenAL. Ndërkohë, grantet e iniciativës, të fokusuara në ndikim në terren, ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për OSHC-të, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta, për të zbatuar aktivitete mjedisore të qëndrueshme, të bazuara në komunitet.






Ky raund grantesh është pjesë e përpjekjeve në rritje të GreenAL për të kultivuar një kulturë të përgjegjësisë mjedisore, ku shoqëria civile, institucionet dhe individët veprojnë së bashku. Këto projekte nuk adresojnë vetëm degradimin mjedisor, por nxisin angazhimin qytetar dhe lidershipin e gjelbër, si dhe frymëzojnë ndryshim sistemik në mbarë vendin.






Fituesit e Granteve:
Fituesit e Granteve Rajonale:
Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS)
Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit (ETMI)
Qendra Res Publica
Shoqata Mbrojtja dhe Zhvillimi Mjedisor & Social (ILIRIA)
PPNEA (Protection and Preservation of Natural Environment in Albania)
Shtëpia e Gjelbër
Fituesit e Granteve të Iniciativës:
Well Point
Qendra DURRЁSI AKTIV
ADAD Malore
Për Mirëqenie Sociale dhe Mjedisore
Qendra Lëvizja Rinore për Demokraci (LRD)
North Green Association
EPER Center
DARC – Qendra Burimore e Alternativave të Zhvillimit
SEEP – Edukimi Social dhe Mbrojtja e Mjedisit
Agro-Eko Dibra
Bordi Rajonal Ambientalist Shqiptar
Organizata Njerëz dhe Ide
Infinit+
Shoqata e Bashkuar Agro-Mjedisore
Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore
Qendra Impakt
Qendresa Qytetare
Udhëtim i Lirë
Shoqata e Përdoruesve të Burimeve Natyrore, Mjedisore-Pyjore, Kullota “Cukali”
EKO MENDJE
Projekti #GreenAL “Mbështetja e Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile 2024 – 2027”, financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fondet e Qeverisë Suedeze @swedeninalbania dhe zbatohet nga @coplanalbania në bashkëpunim me @vis.albania dhe @cosv_ngo.