Trajnimi Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Politikat për Klimën

GreenAL “Fuqizimi i Organizatave të Shoqërisë Civile Mjedisore në Shqipëri 2024 – 2027”, në kuadër të programit të inkubimit, zhvilloi trajnimin e pare në tre qytete: Vlorë, Tiranë dhe Shkodër me temën “Trajnimi i Aktorëve të Shoqërisë Civile mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Politikat për Klimën”. Ky program synon ndërtimin e kapaciteteve praktike dhe konceptuale të organizatave, me qëllim që ato të jenë më efektive në fushën e mjedisit, të adresojnë sfidat klimatike në nivel lokal dhe kombëtar, dhe të marrin pjesë aktive në procesin e integrimit evropian.

Ky trajnim specifikisht synon të nxisë kuptimin e rolit thelbësor që organizatat mund të luajnë në përkthimin e politikave në veprime konkrete në komunitetet. Për më tepër, trajnimi synon të ndihmojë pjesëmarrësit të identifikojnë tema, problematika dhe ide që lidhen me sfidat mjedisore.

Trajnimi ishte i hapur për një gamë të gjerë aktorësh, duke përfshirë përfaqësues të OSHC-ve aktive në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, aktivistë dhe grupe të organizuara joformale, si dhe profesionistë të rinj apo aktorë lokalë që dëshirojnë të kontribuojnë në zgjidhje të gjelbra në komunitetet e tyre.

Gjatë trajnimit u diskutuan tema thelbësore, duke filluar me “Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”. Ky segment eksploroi tranzicionin e gjelbër, objektivat e Agjendës së Gjelbër dhe shtyllat kryesore të saj, duke përfshirë dekarbonizimin, ekonominë qarkulluese, biodiversitetin, ndotjen dhe agro-ekonominë. Gjithashtu u trajtua përputhshmëria me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, Procesin e Berlinit dhe Agjendën e Reformave. 

Një tjetër temë e rëndësishme ishte “Politikat për Klimën dhe Sfidat për OSHC-të në Nivel Lokal”, ku u analizua kuadri politik kombëtar, duke përfshirë Strategjinë për Klimën, NECP dhe Ligjin për Ndërtimet me Efiçiencë. Pjesë e diskutimit ishin gjithashtu roli i OSHC-ve në zbatimin e politikave klimatike, sfidat kryesore, dhe raste studimore të suksesshme të OSHC-ve që kanë ndikuar politikat e klimës.

Së fundmi, trajnimi u fokusua te “Matja e Progresit dhe Hartimi i Projekteve”. Pjesëmarrësit u njohën me një kornizë paraprake monitorimi për tranzicionin e gjelbër dhe u udhëzuan në hartimin e projekteve në mbështetje të Tranzicionit të Gjelbër, duke përdorur Kornizën Logjike. 

Trajnimi përfshiu gjithashtu punë në grupe për të zhvilluar ide projektesh mbi tema mjedisore të lidhura me pesë shtyllat e Agjendës së Gjelbër, si dhe vlerësimin e indikatorëve për monitorimin e Agjendës së Gjelbër dhe Tranzicionit të Gjelbër në rajon.

Në këtë trajnim, u ofrua një këndvështrim i ri mbi Agjendën e Gjelbër, duke nxitur një bashkëveprim të rëndësishëm ndërmjet organizatave pjesëmarrëse. Trajnere e trajnimit ishte Dr. Kejt Dhrami, Eksperte e Qeverisjes së Territorit në Co-PLAN.

Scroll to Top