Tryeza e parë e rrumbullakët në Vlorë

Nga Edisona Xhani

Më 30 prill 2024, COSV Albania organizoi një tryezë të rrumbullakët në qytetin e Vlorës, në kuadër të fazës së dytë të projektit GreenAL. Ky aktivitet kishte për qëllim konsultimin me aktorët lokal për problematikat më shqetësuese mjedisore në rajonin e Vlorës.

Në total, morën pjesë 28 përfaqësues nga organizatat mjedisore dhe institucionet publike. Pjesëmarrësit përfshinin individ nga biznese turistike, organizata joqeveritare (OJQ) mjedisore dhe institucione publike si: Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve, Agjencia Rajonale Bregdetare dhe Bashkia Vlorë.

Në këtë takim u prezantua faza e dytë e GreenAL, tre çështjet kryesore ku do të përqendrohet GreenAL përgjatë viteve të ardhshme (Ndryshimet Klimatike, Natyra dhe Ndotja), stafi që do të lehtësojë këtë fazë në Rajonin e Jugut dhe katër llojet e granteve që do ofrohen për t’ju përgjigjur problematikave të identifikuara nga organizatat lokale në komunitetet ku ato veprojnë.

Gjatë diskutimeve, znj. Aulona Veizi, Drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit të Bashkisë Vlorë, prezantoi strukturën dhe theksoi nevojën për hartimin e planeve të veprimit lokal dhe dëshirën për bashkëpunim me OJQ-të. Ajo nënvizoi se bashkia zotëron mjetet për monitorimin e nivelit të zhurmës, një element që mund të mbahet në konsideratë nga organizatat lokale gjatë aplikimeve për grantet e GreenAL.

Më tej, pjesëmarrësit:

  • • diskutuan nevojën për analizën e ujit të detit, veçanërisht për bakteriologjinë, që ndikon në shëndetin e banorëve dhe turistëve;
    • diskutuan rëndësinë e monitorimit të Ligjit Nr. 111/2012 për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore dhe Konventës së Barcelonës për Mbrojtjen e Detit Mesdhe nga Ndotja; 
    • sygjeruan gjelbërimin e guroreve si një praktikë pozitive për rigjallërimin e atyre zonave;
    • theksuan rëndësinë e marrjes së të dhënave të veçanta të monitorimit nga çdo institucion;
    • shprehën shqetësimin e tyre për rritjen e numrit të qenëve të rrugës në Vlorë, të cilët përbëjnë rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe ndikojnë në ndotjen e ambientit.

GreenAL do të vazhdojë të organizojë aktivitete të ngjashme në të gjitha rajonet e vendit për të vijuar me vlerësimin e nevojave dhe promovuar skemën e nën-grantimit që synon të fuqizojë më tej organizatat mjedisore në Shqipëri.


Projekti #GreenAL financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) me fonde nga Ambasada e Qeverisë Suedeze në Tiranë dhe zbatohet nga Instituti Co-PLAN për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo

Scroll to Top