Studime Tematike mbi Çështjet Mjedisore

Studimet tematike janë një produkt i hartuar nga partnerët zbatues të programit Green-AL me qëllim evidentimin e çështjeve kryesore mjedisore respektivisht në secilin prej rajoneve të Shqipërisë. 

Këto dokumente pasqyrojnë situatën ekzistuese dhe statusin mjedisor rajonal duke ndërtuar mbi historikun e këtyre problematikave dhe duke përditësuar pikërisht me informacione dhe fakte të grumbulluara gjatë periudhës 2021-2023.

Në këto dokumente paraqitet një informacion jo-shterues për zhvillimin socio-ekonomik të parë në këndvështrimin mjedisor, kjo si një mënyrë për të nxjerrë në pah karakteristikat kyç të çdo rajoni. Qasja kryesore e këtyre studimeve, përpos adresimit të problemeve mjedisore, qëndron në promovimin e pasurive natyrore si një pasuri e përbashkët e cila kërkon një qeverisje të përbashkët në mënyrë që edhe benefitet të ndikojnë në zbutjen e problemeve socio-ekonomike. Gjetjet dhe rekomandimet janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të mund ti shërbejnë grupeve të interesit, kryeshish OSHC-ve me fokus mjedisor, të cilat në të ardhmen mund ti adresojnë me anë të projekteve apo kauzave, edhe përtej programit Green-AL II.

Këto dokumnete, ndër të tjera, kapitalizojnë praktikat hulumtuese dhe monitoruese të realizuara nga projektet e zbatuara në terren nga OSHC-të nëpërmjet Green-AL. Të gjendur në një periudhë ku monitorimi dhe inspektimi mjedisor nga autoritetet përgjegjëse në Republikën e Shqipërisë është thuajse inekzistent, autorët e këtyre studimeve ofrojnë një panoramë të cilën ne besojmë është më afër realitetit. Të gjithë të dhënat e përdorura apo përpunuara në këto studime janë marrë nga burime zyrtare apo praktika konkrete pune kërkimore. Hartat dhe fotot e përdorura kanë kryesisht karakter ilustrues ndaj për çdo nisëm që do të gjej frymëzim nga këto studime dhe që do të parashikoj ndërhyrje infrastrukturore, duhet patjetër ti nënshtrohen studimeve të detajuara të parashikuara sipas ligjit të mbrojtjes së mjedisit, VNM.

Publikimet mund ti aksesoni më poshtë.

Scroll to Top